
Tradita presidenciale shqiptare vijoi edhe me Bajram Begajn. Presidenti i Republikës zhvilloi vizitën e parë zyrtare jashtë vendit në Kosovë ku u prit nga homologia Vjosa Osmani. Ceremoniali shtetëror dëshmoi më së miri shprehjen se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete dhe një komb.
Vlerësimet dhe mirënjohjet u pasuan nga kërkesa direkte. Presidentja Osmani kërkoi që Shqipëria dhe Kosova të rrokin armët njëkohësisht në rast të cenimit të sigurisë së njërit shtet duke treguar se rreziku vjen nga Veriu.
“Është e rëndësishme që me Shqipërinë, siç e diskutuam, të kemi një traktat të mbrojtjes së ndërsjellët metë cilin në mënyrë reciproke do të reagojmë në rast të cenimit të dy shteteve tona. Serbia është ajo që po përdor retorikë luftën nxitëse në raport me Kosovën. Presim që sinjale të qarta nga BE|, tha Osmani.
Kërkesës së Presidentes kosovare, Begaj nuk mundi t’i jepte përgjigje publike duke u ndalur tek rëndësia e paqes në rajon. “Vlerësoj qëndrimin e Presidentes dhe qeverisë së Kosovës në vazhdimin e dialogut me Serbinë, si e vetmja mënyrë që të bëhet e qartë se realiteti i Kosovës së pavarur është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm. Ne duhet të jemi të gjithë bashkë dhe të ecim përpara me urtësi dhe maturi në mbrojtje të interesave tona dhe të qytetarëve tanë dhe në mbrojtje të paqes në rajon”, tha Begaj.
Gjatë vizitës së në Kosovë, Begaj do të takohet me zyrtarët më të lartë shtetëror dhe politik. (A2 Televizion)