Momenti kur një vorbull gjigante uji kalon përmes Gjirit të Meksikës pranë brigjeve të Floridas është fiksuar në kamera nga turistët. Fenomeni i rrallë i motit ka frikësuar jashtë mase pjesën dërrmuese të tyre, të cilët janë larguar me shpejtësi nga frika se mos vorbulla i merrte përpara.
Vorbulla krijohet nga bashkimi i ujit me ajrin për shkak të erërave të forta. Ato mund të ngrihen deri në dhjetëra metra lartësi dhe shpesh quhen tornado në ujë. Pamjet bëhen edhe më të frikshme kur pranë vorbullës shfaqet një vetëtimë.
Sipas të dhënave të meteorologëve lokalë, vorbulla u krijua nga një stuhi e fuqishme që nisi fillimisht në det të hapur, për t’u afruar më pas me bregun. Shërbimi Amerikan i Motit paralajmëroi lundruesit që të mbanin varkat larg zonës ku u shfaq vorbulla, për të shmangur incidente. Kjo ishte vorbulla e pestë e raportuar në Florida këtë verë. (A2 Televizion)