
Aleksandër Ndrejaj, avokati i Plaurent Dervishaj, ka reaguar pas akuzave të SPAK ndaj Dervishajt. Sipas avokatit, akuza e ngritur nga SPAK është një sajesë dhe se klienti i tij nuk ka asnjë lidhje me të dyja ngjarjet e pretenduara nga prokuroria.
Ndrejaj theksoi se do të ankimojnë vendimin dhe shtoi se pas akuzave të pabaza fshihen interesa politike.
“U paraqita pranë GJKKO për t'u pajisur me një kopje të Vendimit për Caktimin e Masës së Sigurimit Personal ndaj shtetasit Plaurent Dervishaj.
Dua të deklaroj se akuza e ngritur nga prokuroria e SPAK, ndaj tij është një sajesë e orkestruar për qëllim dezinformimi të publikut dhe në dëm të drejtësisë në rastin konkret të SPAKUT. Dua të deklaroj se klienti im nuk e njeh dhe nuk ka dijeni se kush është dëshmitari i drejtësisë dhe mohon kategorikisht që të ketë njohje me të, nuk ka asnjë lidhje me të dyja ngjarjet e pretenduara nga prokuroria.
Do ndjekim të gjitha procedurat ligjore për vënien në vend të drejtësisë, duke ankimuar vendimin për caktimin e masës së sigurimit dhe duke i kërkuar Prokurorisë së SPAK, prova dhe fakte mbi pretendimin e ngritur. Mbi gjykimin tim mendoj se pas të gjithë kësaj paçavureje fshihen interesa politike që nuk i shërbejnë drejtësisë dhe zbardhjes së vërtetës”, tha Ndrejaj.
Emri i Plaurent Dervishaj doli në skenë, pasi Luftar Reçi pranoi të bashkëpunojë me prokurorinë, duke hedhur dritë mbi dy ngjarje të pazbardhura. Sipas tij, te përfshirja e tij në vrasjen e Klodian Saliut kishte qenë një marrëveshje me Lulëzim Berishën.
Pasi kanë rënë dakord, Reçi së bashku me Indrit Taullain dhe Plarent Dervishajn, kanë studiuar lëvizjet e Saliut dhe bënin prova për mënyrën e vrasjes, ndërsa Lulëzim Berisha ishte larguar në Turqi, me qëllim që të shmangte dyshimet. Mbrëmjen e 26 shkurtit 2005, pasi janë sinjalizuar se Klodian Saliu ishte futur në aksin Durrës-Maminas u vunë në veprim. (A2 Televizion)