Vrasja e ish-kryeministrit japonez, liderët botërorë shprehin ngushëllime për humbjen e Abe

Nga A2 CNN
8 Korrik 2022, 12:32 | Bota
Vrasja e ish-kryeministrit japonez, liderët botërorë shprehin

Vrasja e ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe, tronditi mbarë botën. Mesazhe ngushëllimi erdhën nga politikanë dhe liderë të ndryshëm në detyrë dhe të larguar, të cilët dënuan ashpër atentatin me armë. Kryeministri aktual i Japonisë, Fumio Kishida, bashkë me të gjithë ekipin qeveritar u kthyen me urgjencë në Tokio, duke anuluar të gjitha takimet e fushatës elektorale, të njëjtin vendim morën edhe partitë opozitare.

 “Është një akt barbar dhe malinj që nuk duhet të tolerohet. Nuk mund të pranojmë këtë dhunë gjatë zgjedhjeve, themelin e demokracisë. E dënoj ashpër këtë sulm”, u shpreh kryeministri i Japonisë Fumio Kishida.

Administrata amerikane reagoi përmes Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken.

“Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për familjen dhe popullin e Japonisë. Ky është një moment tepër i trishtë”, u shpreh Blinken.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se bota humbi një persona të jashtëzakonshëm dhe shprehu ngushëllime për familjen, miqtë dhe të gjithë qytetarët në Japoni. “Vrasja brutale e Shinzo Abe tronditi mbarë botë”, shkruan von der Leyen në Twitter.

Mesazhe ngushëllimi edhe nga liderë të tjerë të vendeve të Europës. Kryeministri britanik në largim, Boris Johnson, tha se lidershipi global i Shinzo Abe do të kujtohet gjatë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu ngushëllimet më të ndjera për familjen e ish-kryeministrit japonez duke e vlerësuar atë si mbrojtës të demokracisë.

Edhe Kina iu bashkua këtyre mesazheve duke reaguar e shokuar për vrasjen e ish-kryeministrit Abe. 67-vjeçarit i atribuohet merita për rikthimin e stabilitetit ekonomik në vend, pas një periudhe mjaft të errët në këtë sektor.

Gjithashtu, konsiderohet arkitekt i afrimit të mëtejshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të mbahet mend si lideri armik i Kinës dhe për raportet e tensionuara me Korenë e Jugut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos