
Pas ambasadores së SHBA dhe atij të BE, ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Tiranë Peter Zingraf për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia.
Ndërkohë, Zingraf shprehet se dhuna nuk mund të jetë zgjidhja për këtë ngjarje.
“Ngjarjet e ditëve të fundit më mbushin me shqetësim dhe trishtim. Vdekja e të riut më ka prekur edhe mua shumë. Është e rëndësishme dhe e drejtë, që kjo ngjarje të zbardhet plotësisht. Mendimet e mia janë pranë familjes së viktimës.
Por ajo çka na mëson gjithashtu ky rast tragjik është – dhuna nuk mund të jetë zgjidhja. Ushtrimi i lirë i të drejtës për protesta është thelbësor për çdo demokraci. Por, edhe kur bëhet fjalë për gjëra shumë emocionale dhe elementare: vetëm protestat paqësore legjitimohen si demokratike. Unë i bëj thirrje të gjitha palëve, të heqin dorë nga dhuna”. (A2 Televizion)