
Policia e Shkodrës, pas disa shoqërimeve dhe kontrolleve të pandërprera, ka një emër të dyshuar si autor i mundshëm i vrasjes se 55-vjeçarit Lazër Arraj. Uniformat blu kanë ndaluar si të dyshuar djalin e xhaxhait të viktimës, Marash Arraj.
Edhe pse nuk jepen shumë detaje mbi dyshimet që e çuan Policinë te kushëriri i viktimës, burimet shprehen se për momentin Marash Arraj është person i dyshuar për vrasjen e kushëririt të tij.
Mister vazhdojnë të mbeten ende motivet e këtij krimi. Viktima Lazër Arraj u gjet i vrarë mesditën e së hënës në fshatin Palaj të njësisë administrative Shosh në rrethin e Shkodrës. Në momentin e vrasjes, 55-vjeçari ishte duke transportuar me kafshë disa nga prodhimet e stinës për t’i dërguar në qytetin e Shkodrës, kur edhe u qëllua në një pritë dy herë me armë zjarri, duke mbetur i vdekur në vend. E kaluara e të ndjerit nuk është problematike, çka i bën akoma më të mistershme motivet e këtij ekzekutimi. (A2 Televizion)