
Gjykata e Posaçme ka vendosur pas përfundimit të orarit zyrtar kalimin në gjykim të Ilir Selmanit, i akuzuar për vrasjen e Santiago Malkos. Në gjykim është kaluar dhe çështja ndaj Elvis Gaxhajt për akuzën e “armëmbajtjes pa leje” dhe “prodhim e shitje të narkotikëve”, ndërsa për Xhoni Nicën është vendosur pushim i çështjes.
Selmani u arrestua në prill të vitit 2020, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Santiago Malkos. I dyshuar dhe si i përfshirë në klanin “Duka”, Selmani ra në prangat e policisë në afërsi të maternitetit “Koço Glizoheni”. Ai dyshohet si bashkëpunëtor në vrasjen e Malkos, pasi u kap nga disa kamera sigurie teksa mblidhte mbeturina dhe i hidhte në një kosh pranë vendngjarjes.
Si autorë të dyshuar të vrasjes akuzohen Leonard Duka, Erlis Duka, Oltian Loga, Aleksandër Manxhaku dhe Dritan Agaj, por asnjëri prej tyre nuk është arrestuar. Vrasja e Malkos ndodhi më 27 gusht të 2019-ës rreth orës 22 : 20, në Rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë. (A2 Televizion)