
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Shkodrës mëngjesin e kësaj të marte. Persona ende të paidentifikuar, që lëviznin me një autoveturë, kanë ekzekutuar në orët e mëngjesit 55-vjeçarin Nazmi Bandulla.
Ngjarja ndodhi në një lokal pranë banesës së viktimës, në lagjen “Partizani” të qytetit të Shkodrës. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, 55-vjeçari ishte duke pirë kafe në kohën kur autorët kanë qëlluar nga një automjet me breshëri në drejtim të shënjestrës së tyre.
Plumbat rezultuan fatal për Nazmi Bandullën, i cili ka gjetur vdekjen. Ndërsa autorët, pas të shtënave, janë larguar me shpejtësi. Ngjarja shkaktoi panik në lokal dhe në gjithë zonën, ku vetëm fati bëri që të mos lëndoheshin persona të tjerë.
Nga të dhënat e para rezulton se viktima Nazmi Bandulla është një emër i njohur për Policinë e Shkodrës, pasi edhe më herët, në vitin 2020, ka patur një atentat ndaj tij, kur iu vendos tritol në mjet. Por, atëherë ngjarja kaloi vetëm me dëme materiale.
Ndërkohë, policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur mbledhjen e provave, dëshmive dhe kamerat e sigurisë për identifkimin e autorëve të kësaj vrasjeje. Nisur nga e kaluara e viktimës si dhe nga dinamika e ngjarjes, dyshimet kryesore janë se atentati mund të jetë një hakmarrje ndaj 55-vjeçarit. (A2 Televizion)