
47-vjeçari Kastriot Reçi është vrarë me armë zjarri paraditen e kësaj të marte në qytetin e Rrëshenit. Ai është qëlluar pranë një lokali.
Kastriot Reçi ka pasur në pronësi televizionin lokal, ndërsa familjarët e tij disa karburante.
Kalimtarë të rastit e kanë dërguar Reçin në spital, por nuk ka mundur t'u mbijetojë plagëve të shkaktuara nga plumbat, duke ndërruar jetë.
Ndërkohë, policia ka ngritur pika kontrolli dhe është vënë në ndjekje të autorëve ende të paidentifikuar, të cilët mësohet se janë larguar me shpejtësi nga vendngjarje. Burimet policore pohojnë se Reçi është i njohur për policinë për shkak të së kaluarës së tij problematike dhe hasmërive që ka patur.
Dy vite më parë, Kastriotit i kanë vrarë një vëlla në Itali, ndërsa ka dyshime se kjo vrasje është në vazhdën e disa vrasjeve të ndodhura në Rrëshen katër vitet e fundit. Për këtë arsye, pranë policisë lokale të Mirditës ka shkuar vetë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili po informohet mbi këtë ngjarje dhe pistat e policisë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ndërsa, Autoriteti i Mediave Audiovizive sqaron se Reçi ka qenë ortak i televizionit “M+”, por ishte hequr licenca që në vitin 2018. (A2 Televizion)