
Tre ish-gjyqtarët e Apelit Durrës, të dënuar me nga 2 vjet burg për “korrupsion” nga Gjykata për Krimet e Rënda kërkojnë pafajësi. Ata kanë kundërshtuar dënimin në Apelin e Krimeve, por për shkak të shkrirjes së kësaj gjykate, ankimi do të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme të Apelit.
Ish-gjyqtarët Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno u dënuan në 29 nëntor 2019 në lidhje me një udhëtim të bërë në Spanjë për të ndjekur ndeshjen Real Madrid-Barcelona. Sipas gjykatës, udhëtimi u sponsorizua nga një biznesmen, ndërkohë që po gjykonin një dosje ku ai ishte palë. Tre ish-gjyqtarët e “El Classico”-s u gjykuan në gjendje të lirë.
Për këtë shkak, ndonëse u dënuan me burg, nuk kanë shkuar në qeli, pasi vendimi nuk është i formës së prerë. (A2 Televizion)