Vrau kolegun polic brenda komisariatit se e bullizonte, Prokuroria kërkon 35 vjet burg për Ludian Zaimin

Nga A2 CNN
15 Qershor 2023, 13:56 | Kronikë

Prokuroria e Tiranës kërkon dënimin me 35 vite burg për Ludian Zaimin, efektivin e policisë që vrau me armë zjarri kolegun e tij, Caush Saliasi, brenda komisariatit nr.3 në kryeqytet.

Ludjan Zaimi, efektivi 25-vjeçari i Patrullës së Përgjithshme, që qëlloi për vdekje me armën e shërbimit kolegun Çaush Saliasi, pretendoi pas ngjarjes se ishte bullizuar dhe fyer në vijimësi prej tij.

Policia e Tiranës tha se autori ishte Ludjan Zaimi, punonjës i Patrullës së Përgjithshme, prej gati 1 viti e gjysmë. Plumbat e armës së tij ranë mbi efektivin tjetër të patrullës, 55-vjeçarin Çaush Saliasi, i cili mbante uniformën e policisë prej më shumë se 20-vitesh.

Gjithçka ndodhi pak para se dy efektivët të merrnin shërbimin e turnit të tretë. Plagët e rënda i morën jetën Saliasit, ndonëse u dërgua për ndihmë në spital.

“Më ofendonte shpesh. Edhe mbrëmë vazhdoi me këtë. Nuk durova dot më”, mësohet të ketë treguar i riu, i cili ka shfaqur pendesë pas krimit.

Referuar dëshmive të punonjësve të tjerë të policisë të pranishëm në ngjarje, i riu i është drejtuar 55-vjeçarit me fjalët “si do e lemë bashkë” dhe më pas e ka qëlluar disa herë me pistoletë.

Të njëjtët kanë rrëfyer se i riu nuk është ankuar për ndonjë problematikë, por ka qenë tip i mbyllur me kolegët. Në banesën e 25-vjeçarit janë gjetur medikamente antidepresantë, si edhe janë krijuar dyshime se ai ka pasur kontakt me një mjeke të shëndetit mendor.

Pas arrestimit nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, mbi 25-vjeçarin Zaimi rëndon akuza e “vrasjes me paramendim”, vepër për të cilën Kodi Penal parashikon dënim nga 15 në 25 vite burg.  (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/05/24/tragjedia-e-radhes-ne-komisariat-rrefimi-i-policit-me-fyente-prej-kohesh/

A2 CNN Livestream

Latest Videos