
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut përfaqësohen nga Serbia në takimet me presidentin francez, Emmanuel Macron. Konfirmimi erdhi nga Aleksandër Vucic, që saktëson për median gjermane “Der Spiegel”, se kjo ishte një dakordësi e arritur me Edi Ramën dhe Zoran Zaev në Ohër.
“Unë isha me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në samitin e Ohrit dhe ne ramë dakord për pothuajse çdo pikë, duke përfshirë që unë të flisja me Macron në emër të të gjithëve, siç bëra javën e kaluar”, tha Vucic.
Presidenti serb mbështet sërish idenë e Mini Shengenit Ballkanik, dhe thekson se sipas vlerësimit të Bankës Botërore vendet e rajonit kursejnë deri në 3,5 miliardë euro me heqjen e pengesave kufitare në shkëmbimin e mallrave dhe krahut të punës.
Sa i përket përfshirjes së Kosovës në këtë projekt, Vucic shprehet: “Kosovarët nuk dinë çfarë duan. Albin Kurti, i cili ka të ngjarë të jetë drejtuesi i tyre i radhës, tingëllon sikur dëshiron të bëhet udhëheqësi i Shqipërisë së Madhe. Kosova e shikon veten si shtet, por ne nuk e shohim atë në atë mënyrë. Sidoqoftë, ne mund të bënim biznes të shkëlqyeshëm me ta”.
Për idenë e Shqipërisë së Madhe dhe Albin Kurtin, presidenti serb ka folur edhe për median franceze, “Le Figaro”. “Disa herë shprehen se do të bashkohen nën çatinë e Bashkimin Europian dhe nganjëherë ndryshe, por ata kurrë nuk hoqën dorë nga kjo ide. Shikoni Albin Kurtin, i cili fitoi zgjedhjet. Në ambientet ku mban takimet nuk ka flamur të Kosovës por të Shqipërisë. Të gjithë ambasadorët, përfshirë atë amerikan dhe britanik, u ulën me të dhe u vendosën para flamurit shqiptar, dhe kjo nuk i shqetësoi”.
Vucic madje pretendon se ka garë mes Kurtit dhe Kreyministrit Rama për lidershipin mes shqiptarëve. Gjithashtu mbron Ramën nga sulmet e liderit të Vetëvendosjes lidhur me projektin e Mini Shengenit Ballkanik. (A2 Televizion)