
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i bëri një tjetër ftesë kryeministrit të ri të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, që të marrë pjesë në takimin e radhës që do të mbahet në Ohër, në kuadër të nismës rajonale të “Ballkanit të Hapur”.
“Edhe një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar çështje dypalëshe me Dritan Abazoviç gjatë Forumit Ekonomik Botëror, por edhe për ta ftuar edhe një herë që të bashkohet me ne në takimin e nismës së Ballkanit të Hapur në Ohër”, shkroi Vuçiç në një postim në Instagram.
Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Kur u prezantua nisma e “Ballkanit të Hapur”, Mali i Zi, në atë kohë me qeverinë e Partisë Demokratike të Socialistëve nuk pranoi të merrte pjesë në këtë nismë rajonale. (A2 Televizion)