Vuçiç takon Lajçak në Beograd: Të zbatohet marrëveshja për asociacionin

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2022, 13:43 | Ballkani
Vuçiç takon Lajçak në Beograd: Të zbatohet

I dërguari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, zhvilloi të hënën një vizitë në Beograd, ku u takua me presidentin Aleksandër Vuçiç. Ky i fundit tha pas takimit se në qendër të bisedimeve ishte dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe problemet me të cilat përballen serbët e Kosovës për shkak të atyre që i quajti lëvizje të njëanshme të Prishtinës.

Në një postim në profilin e tij në Instagram, Vuçiç tha se gjatë takimit e kishte vënë theksin te domosdoshmëria e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Lajçak vizitoi Beogradin, pasi Vuçiç e quajti Kurtin “llum terrorist” dhe paralajmëroi se nuk do të marrë pjesë në samitin e mbajtur në tiranë, në shenjë zemërimi për emërimin e Nenad Rashiç në postin e ministrit për Komunitetet dhe Kthim.

Serbia e ka konsideruar këtë vendim si shkelje dhe ka thënë se Rashiç nuk përfaqëson serbët e Kosovës.

Vuçiç pritet të shprehet sot, lidhur me vendimin përfundimtar sa i përket pjesëmarrjes në samitin e 6 dhjetorit. Ndërsa, burime të BE-së thonë se Lajçak do të takohet nesër edhe me kryeministrin Kurti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos