Wadephul përshëndet dialogun për Reformën Zgjedhore

Nga A2 CNN
15 Janar 2020, 17:28 | Politikë
Wadephul përshëndet dialogun për Reformën Zgjedhore

Nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Johann David Wadephul, e ka përshëndetur nismën e re të pozitës dhe opozitës së bashkuar në Shqipëri për reformimin e ligjit zgjedhor.

Në një deklaratë ekskluzive për “Deutsche Welle” shqip, nënkryetari i grupit më të madh parlamentar në Parlamentin gjerman CDU/CSU, Johann David Wadephul, e ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes pozitës dhe opozitës së bashkuar në Shqipëri për hartimin e ligjit të ri zgjedhor: "Grupi parlamentar i CDU/CSU në Parlamentin gjerman e përshëndet marrëveshjen e djeshme midis qeverisë dhe opozitës. Dialogu i hapur dhe gjithëpërfshirës i dakorduar tani mes të gjitha forcave politike është një hap i rëndësishëm për hartimin e reformës së re zgjedhore, e cila duhet të jetë plotësisht në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, siç e ka kërkuar dhe Bundestag-u gjerman në rezolutën e tij të 26 shtatorit 2019. Ne i inkurajojmë të gjitha palët që në këtë frymë mbipartiake të përfundojnë me sukses punën ende të vështirë për reformimin e ligjit zgjedhor".

Vënia në vijë e Reformës Zgjedhore, ishte, krahas plotësimit të stafit të nevojshëm për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, një nga dy kushtet e vëna nga Bundestagu gjerman për fillimin e procesit të çeljes së negociatave të Shqipërisë me BE. Sado i mirëpritur është ky kompromis, ai deri tani ka zgjidhur vetëm çështjen procedurale. Tani Bundestagu do të shohë edhe përmbajtjen që do të dalë nga kjo marrëveshje, bëhet e ditur nga qarqet kristiandemokrate dhe kristiansociale në Bundestag. Këtu ia vlen të kujtohet se kushti i dytë i rezolutës së Bundestagut kërkon nga reforma zgjedhore që ajo të bëhet në përputhje me kushtet e OSBE/ODIHR-it, por edhe që ligji i ri të garantojë një "financimin transparent të partive dhe fushatave zgjedhore" dhe të marrë parasysh rezultatet e komisionit "ad hoc" për reformën  dhe rekomandimet e ODIHR-it, në 5 shtator 2019. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos