
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka reagoi nëpërmjet rrjeteve sociale për akuzën e drejtuar ndaj saj të kreut të opozitës, Lulzim Basha, për shpërndarje parashë në Dibër me mjetet e ushtrisë.
Në postimin e saj, Xhacka thotë se “Lulzim Basha nuk i mendon e as i kupton pasojat e veprimeve që bën, por, le ta mësojë që veprimet kanë kosto, shpifjet kanë një çmim, kur të shkojë përpara gjykatës për të sqaruar llumin që nxjerr nga goja”.
Ajo sulmon edhe ish deputetin Xhemal Gjunkshi, “gjeneralin e famshëm që njeh gjithë bota, se ia ka dalë të shfaqet dhe në Wikileaks me bëmat e tij. Njerëzit që ka marrë në qafë e mallkojnë përditë”.
Për akuzat e Gjunkshit, që akuzonte edhe se Policia e Dibrës kishte filluar të shpërndante armë në qytet, reagoi Policia e Shtetit me anë të një deklarate zyrtare ku përgënjeshtron ngjarjen, dhe shton se “në fakt të vetmin reagim që meriton është padia ndaj deklaruesit Gjunkshi në gjykatë”. (A2 Televizion)