“Xhaçka përdori helikopterin ushtarak për fushatë”, PD: Rama hesht në vend që ta shkarkonte ministren

Nga A2 CNN
1 Dhjetor 2020, 16:58 | Politikë
“Xhaçka përdori helikopterin ushtarak për

Prej një jave Partia Demokratike vijon denoncimet ndaj ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, se ka përdorur helikopterin ushtarak për arsye elektorale në Dibër. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Albana Vokshi tha se Rama hesht, në vend që të kërkonte shkarkimin e ministres për abuzim me fondet.

“Olta Xhaçka hesht, edhe pse është kapur në flagrancë në një shkelje, të përsëritur, të kryer në vijimësi, me vetëdije të plotë që i ka kushtuar buxhetit të shtetit mbi 100 milionë lekë. Edhe Edi Rama hesht, megjithëse abuzimi me detyrën nga vartësja e tij, është flagrant. Më e pakta, që mund të bënte një kryeministër normal, do të ishte shkarkimi i Ministres së Mbrojtjes për shpërdorim detyre dhe abuzim me fondet publike për interes privat partiak. Ministrja nuk flet, pasi e di se ky rast abuzimi i kushton më shumë sesa një vend në qeveri. Edi Rama bën sikur nuk ka parë dhe nuk ka dëgjuar, sepse ka të njëjtën mendësi për luksin e shfrenuar me paratë e taksapaguesve”.

Sipas Vokshit, përdorimi i helikopterit ushtarak për punët private partiake tregon se ky rast nuk është vetëm papërgjegjshmëri apo abuzim me fondet, por edhe një rast flagrant sesi çdo burim i administratës shtetërore vendoset në shërbim të karriges së pushtetit të Edi Ramës.

Ajo solli edhe njëherë në vëmendje se ministrja Xhaçka ka udhëtuar 22 herë për dy muaj me helikopter drejt Dibrës, ku vetëm një vajtje kushton nga 5-10 mijë euro, në një kohë që mijëra familje përballen me pamundësinë për të blerë ilaçet apo për të kryer tamponin.

Sipas saj, Partia Demokratike do ta çojë deri në fund këtë çështje të abuzimit të rëndë me pushtetin dhe me fondet publike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos