
Ambasadorja e SHBA-vë në Tiranë, Yuri Kim, në një intervistë për Zërin e Amerikës, u shpreh se besonte që Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale brenda dhjetorit. Gjithashtu, ambasadorja foli për zhvillimet e reformës në drejtësi, hetimet e SPAK dhe çështjet e korrupsionit në Shqipëri.
Gjykata Kushtetuese mund të jetë funksionale brenda dhjetorit. Kështu u shpreh ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim për Zërin e Amerikës.
“31 dhjetori mund të duket pak rastësor por ka kohë që ecet drejt kësaj dhe më duhet të them që kur ne, nga pikëpamja e ekspertëve, shohim rregullat, kërkesat, opinionet e Komisionit të Venecias, janë dy të tilla në pak muajt e fundit, kur shohim kushtetutën, kushtetutën tuaj pra, standardet ndërkombëtare, kërkesat e BE dhe pritshmëritë tona, nuk ka arsye praktike që të mos jetë e mundur të kemi një Gjykatë Kushtetuese funksionale deri më 31 dhjetor. Kam fjalën e Kryetarit të Kuvendit dhe kam fjalën e Presidentit të Republikës. Ky President ka qëlluar të jetë një bashkë-malësor. Edhe ai edhe unë jemi nga mali dhe, kur një malësor të jep fjalën që ka vullnetin politik dhe se është serioz për reformën në drejtësi sa më shpejt që të jetë e mundur, nuk më duhet gjë tjetër më shumë se kaq. Prandaj, po, besoj që do të kemi gjykatën kushtetuese deri më 31 dhjetor”, u shpreh Yuri Kim.
Një ndër çështjet e tjera që trajtoi ambasadorja ishte edhe korrupsioni në vendin tonë, fenomen të cilin ajo e cilësoi si kancer.
“Mendoj që të gjithë e pranojnë që korrupsioni është një kancer këtu në Shqipëri. Është në reputacion por është edhe në realitet. Nëse sheh të gjitha studimet që janë nxjerrë, qoftë Indeksi i Transparencës, apo edhe raportet që nxjerr Departamenti i Shtetit çdo vit, është e qartë që korrupsioni është problem”.
Në fund, ambasadorja u shpreh se përpos ndihmës së SHBA-, përgjegjësia për përmirësimin e situatës u takon vetëm shqiptarëve. (A2 Televizion)