




Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme të Apelit për një takim me trupën e gjyqtarëve. Në takim ishte e pranishme edhe kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami. Në fotot e shpërndara për mediat, Kim duket pozuar krah gjyqtarit Engert Pëllumbi, i cili ishte ai dha vendimin në Apel për dënimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, me 3 vite e 4 muaj burg, për shpërdorim detyre.
“Nuk mund të theksojmë mjaftueshëm rëndësinë e një gjyqësori të drejtë, të paanshëm dhe të guximshëm, jo vetëm për popullin shqiptar, por edhe për miqtë dhe aleatët e tyre. Shqipëria po ecën përpara, jo pa vështirësi, por megjithatë po ecën. Rruga përpara, është e vetmja rrugë për të moshuarit shqiptarë, të cilët nuk hoqën kurrë dorë nga shpresa dhe për djemtë dhe vajzat e reja, të cilët kanë aq shumë nevojë për të. E nxis çdo gjyqtar dhe prokuror të këtij vendi që ta bëjë punën e tij me ndershmëri, duke zbatuar pa mëdyshje ligjin, me guxim dhe krenari. Ne do të qëndrojmë krah jush, do të vazhdojmë të luftojmë bashkë me ju”, citohet t’u ketë thënë Kim gjyqtarëve, sipas një njoftimi të shpërndarë nga ambasada amerikane.
Dy ditë me parë, Kim zhvilloi një takim me gjyqtarët e posaçëm të Shkallës së Parë. Pas atij takimi, përmes një publikimi në Facebook, Kim tha se vendimet e gjyqtarëve kanë rritur besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë. “Shqipëria nuk ka parë kurrë që zyrtarë të tillë të lartë të shpallen fajtorë me vendime përfundimtare. Kjo është një kohë kritike për reformën në drejtësi. Kriminelët po e ndjejnë presionin. Kjo do të thotë se përpjekjet e tyre do të jenë edhe më intensive dhe ju duhet të rezistoni. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli shqiptar nuk duan që gjykata të kthehet në mënyrat e vjetra. Le të sigurohemi që ato kohë të mbeten në të kaluarën, njëherë e përgjithmonë”, u tha Ambasadorja gjyqtarëve.
Ambasadorja amerikane ka mbështetur më shumë se kushdo tjetër reformën në drejtësi dhe progresin e saj. Të enjten, në 30-vjetorin e Gjykatës Kushtetuese, për herë të tretë në 10 ditë, Kim foli për njerëz që kundërshtojnë këtë progres. “Ju që doni ta tërhiqni Shqipërinë në të shkuarën, duke shpërfillur vuajtjen e qytetarëve, ju them ndaloni! Jepini fund! Koha juaj ka mbaruar. Koha e atyre telefonatave, dërgimit të emisarëve, dhuratave apo kërcënimeve; kërcënimeve edhe me ekspozimin e dokumenteve sekrete, ajo kohë ka mbaruar. Ju që keni gëzuar privilegjet, keni gëzuar imunitetin; keni mbushur xhepat për vete, fëmijët dhe miqtë tuaj, jepini fund! Koha juaj ka mbaruar. Është koha të lini qytetarët të jenë vërtetë të lirë”, tha Kim. (A2 Televizion)