
Ambasadorja e SHBA në vendin tonë, Yuri Kim, ishte e pranishme mbrëmjen e së enjtes në aktivitetin për Reformën në Drejtësi, të organizuar nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
Në fjalën e saj, ambasadorja tha se “Reforma në Drejtësi duhet të zbatohet e plotë”.
“Të gjithë jemi shërbyes publikë. Jemi mbledhur për të shënuar kauzën “Drejtësi për të gjithë”. Ne mbartim një privilegj të madh, por një detyrë edhe më të madhe për të siguruar publikun që do t’i bëjmë detyrat me integritet. Për të gjithë momentet e shkuara, por edhe ata që do vijnë, ju themi se jemi krah për krah me ju. Unë mendoj për Skënderbeun dhe Xhorxh Uashingtonin, dy personalitete të jashtëzakonshëm. Por, jemi në prag të diçkaje tejet të rëndësishme. Besoj që shpirti, fryma e Skënderbeut është ende gjallë këtu në Shqipëri, ashtu si fryma e Xhorxh Uashingtonit është po aq prezente. Mbartni frymën e kurajos, në mënyrë që të jepni drejtësi për të gjithë”, tha ambasadorja Kim.
Ndërsa ambasadori i BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca, tha se BE-ja e mbështet plotësisht Reformën në Drejtësi, e cila është rruga e vetme e Shqipërisë për në BE dhe do të funksionojë si pasaportë për anëtarësimin e saj. (A2 Televizion)