
Qeveria shqiptare ka miratuar sot atë që e ka quajtur paketa KÇK, duke ndryshuar disa ligje, si ai Antimafia, ai i Policisë së Shtetit, ai për Administrimin e Pasurive të Konfiskuara dhe Sekuestruara si dhe në Kodin Penal.
“Të gjitha këto ndryshime, bashkë me ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë tashmë vendimmarrje e Kuvendit. Akti është normativ dhe hyn në fuqi menjëherë dhe ka të bëjë me pasurinë e tyre”, tha ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni.
“Pjesë e paketës anti KÇK, janë edhe ata të cilët ndonëse të akuzuar për krime të rënda, për shkak të sistemit të kalbur të drejtësisë, nuk u dënuan kurrë dhe lëvizin të lirë. Të gjithë këta do të duhet të provojnë se banesat, bizneset, tokat dhe llogaritë bankare të tyre burojnë nga puna dhe jo aktiviteti i paligjshëm. Barra e provës do të qëndrojë mbi ta”, shtoi ajo.
Subjekt të kësaj pakete janë të gjithë ata që për të fshehur pasuritë e paligjshme i kanë transferuar në palë të treta. Këto lloj transaksionesh do të anulohen dhe do të konsiderohen të pavlefshme.
Pjesa tjetër ka të bëjë më gjyqtarët dhe prokurorë të korruptuar që sfidojnë shtetin dhe ligjin. “Për të gjithë këta, me ketë paketë, institucionet e reja të drejtësisë do të kenë mekanizma të reja efikase për të ndëshkuar çdo gjyqtar dhe prokuror që merr guximin të shkelë ligjin”, shtoi Gjoni. (A2 Televizion)