
Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, do të vizitojë Tiranën dhe Shkupin më 3 dhe 4 shkurt.
Në një deklaratë, ai komenton çështjen e negociatave të anëtarësimit dhe shpreh mbështetjen e Parlamentit Europian për dritën jeshile ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Të dyja vendet kanë bërë progres të madh, në linjë me pritshmëritë tona”, shprehet Sassoli.
Kreu i Parlamentit Europian konfirmon se do të bëjë gjithçka për të bindur shtetet anëtare që janë akoma skeptike, në mënyrë që të çelen negociatat e anëtarësimit për Tiranën dhe Shkupin në Samitin e Zagrebit.
Sassoli, ndër të tjera i bën thirrje qeverisë shqiptare që ta përdorë këtë kohë për të adresuar shqetësimet e ngritura lidhur me sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Gjithashtu, thekson solidaritetin e tij për Shqipërinë që po kalon një situatë të vështirë për shkak të tërmetit.
Programi i vizitës së Presidentit të PE:
Në orën 11:00 David Sassoli me ambasadorin e BE në Tiranë, Luigi Soreca.
Në orën 11:30, Sassoli do të takohet me Kryeministrin e vendit, Edi Rama.
Pas takimit, Rama dhe Sassoli në orën 12:15 do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp në mjediset e Kryeministrisë.
Në orën 14:45, Presidenti i PE do të takohet me Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kryetarët e Grupeve Parlamentare.
Në orën 15:15, Sassoli do të mbajë një fjalë në seancën plenare.
Takim me Presidentin Ilir Meta në orën 16:00.
Në 4 shkurt, në orën 10:45, Sassoli takohet me kreun e PD, Lulzim Bashën dhe Kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, në selinë e PD. (A2 Televizion)