
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, tha se ishte takuar këtë të premte me kreun e SPAK, Arben Kraja. “Përgëzova prokurorët dhe hetuesit për arritjen e rezultateve gjithmonë e më të vërteta. Rritja e hetimeve, procedimeve, konfiskimeve të aseteve etj., tregon se askush nuk është mbi ligjin”, tha Kim në një postim në Twitter.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesim fort reformën në drejtësi - përfshi edhe punën e SPAK - për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, për të bërë përgjegjës zyrtarët e korruptuar dhe për të forcuar sundimin e ligjit në Shqipëri. Kjo është e nevojshme për të plotësuar kushtet e Bashkimit Europian dhe për t’iu përgjigjur kërkesës së njerëzve për drejtësi”.
Takimi u realizua një ditë pasi një tjetër ish-zyrtar, ish-zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, u dënua me 10 muaj burg për “ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. (A2 Televizion)