
Premtoi se nuk do të kishte më breshëri raketash në Ukrainë, por Vladimir Putin nuk po e mban fjalën. Ushtria e Rusisë bombardoi pjesë të ndryshme të kryeqytetit Kiev, duke bërë që sirenat e alarmit të dëgjohen sërish me njerëzit që vrapuan nëpër vendstrehimet e sigurta.
Dëmet e sulmeve masive janë të konsiderueshme, të paktën në infrastrukturën energjetike. Fatmirësisht nuk ka pasur raportime për viktima apo të lënduar. Kievi nuk ishte qyteti I vetëm që u sulmua, pasi forcat ruse bombarduan dhe zona të ndryshme të Zaporizhias. Kreu i këshillit komunal, Anatoly Kurtev, konfirmoi se pushtuesit përdorën dronët kamikazë, duke shkaktuar dëme materiale dhe në infrastrukturë.
Kundërpërgjigja ukrainase erdhi nga Kerson, ku ushtria ka nisur një ofensivë kundër trupave të Putinit. Udhëheqësit rajonalë të Rusisë rekomanduan që banorët të evakuojnë të miturit nga vendet në bregun e djathtë të lumit Dnieper.
Burimet ruse flasin për luftime të ashpra, ndërsa burimet ukrainase tregojnë për panik në mesin e ushtrisë ruse.
Në të njëjtën frymë edhe presidenti Volodymyr Zelensky, i cili thotë se “Rusia është kapluar tashmë nga një atmosferë e humbjes dhe dëshpërimit”.
Ndërkohë, inteligjenca britanike konfirmon se gjendja ekonomike në ruse sa vjen e përkeqësohet. Madje rezervistët e thirrur për të luftuar në Ukrainë janë detyruar që të paguajnë për të blerë pjesë të ndryshme të veshjeve dhe pajisjeve, me çmime aspak të lira. (A2 Televizion)