Zbardhet dosja, abuzimet me fondet publike, mbetet në qeli ish-kryebashkiaku i Lushnjes

Nga A2 CNN
8 Korrik 2021, 19:36 | Kronikë
Zbardhet dosja, abuzimet me fondet publike, mbetet në qeli

Ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, do të qëndrojë në burg teksa do të hetohet nga SPAK për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Pas një seancë që zgjati gati 7 orë, Gjykata e Posaçme la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” dhënë në me herët në mungesë për ish-kryebashkiakun, Tushe, duke refuzuar edhe pretendimet e tij për një masë më të butë për shkak të problemeve shëndetësore.

E njëjta masë sigurie u la për drejtorin e Ndërmarrjes së Pasurisë Publike, Flamur Peqini dhe dy administratorët e kompanive private, Ibrahim Lami dhe Bujar Murati. Në qeli do të qëndrojnë edhe 3 zyrtarë të tjerë të Ndërmarrjes së Pasurisë Publike, ndërsa 4 të tjerë do të hetohen në masën e “arrestit të shtëpisë”.

Sipas dosjes së prokurorisë, të siguruar nga A2, zyrtarët e bashkisë Lushnjë kanë shpërdoruar detyrën, falsifikuar dokumente dhe shkelur barazinë në tenderë, kur i kanë dhënë një tender prej 23 milionë lekësh për rehabilitimin e një kanali kullues kompanisë “Euroalb” e administruar nga Bujar Murati.

Referuar hetimit, se ndonëse tenderin e fitoi kjo kompani, punimet në terren i ka kryer kompania që administrohej nga i arrestuari Ibrahim Lami, kompani që sipas SPAK privilegjohej në tenderimet e bashkisë.

Zyrtarët e përfshirë në procedurë, janë përgjuar teksa shqetësohen që do të pyeteshin në prokurori, si edhe kanë bërë mbledhje, ku janë shprehur se kishte dalë Fatosi garant për ta. “Ua do na marrin në pyetje ata të SPAK-ut”, shqetësohet një prej zyrtarëve në një përgjim.

 Lidhur me një episod të dytë të shpërdorimit të detyrës, SPAK ka përgjuar biseda mes ish-kryebashkiakut Tushe dhe Flamur Peqinit, ku i japin personave të ndryshëm të paautorizuar sasi karburanti të blerë për llogari të bashkisë.  

Në një nga bisedat e përgjuara, Flamur Peqini i kërkon punonjësit të karburantit të mbushë makinën me tre teta, duke i kërkuar ngut, pasi ai ishte çuni i shefit.  

Ndërsa episodi i tretë kundër ish-kryebashkiakut ngre dyshime për shkak të përgjigjes së tij ndaj një banori që i ankohet për pezullimin e ndërtimit të një banese.

“Thuaji që kam folur me kryetarin”, i thotë Tushe, që menjëherë më pas e këshillon që nuk është telefoni për të tilla biseda. “Merre rrugën, ja ku është Shegasi dhe hajde më thuaj mua këtu”, udhëzon kryebashkiaku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos