
Zbardhet plagosja e 23-vjeçarit, e ndodhur dy ditë më parë teksa po udhëtonte me mjetin e tij nga Thethi në drejtim të fshatit Nderlysë.
Sikurse njoftohet nga policia, është vënë në pranga 38-vjeçari Kujtim Koçeku, i dyshuar si autor i ngjarjes dhe vëllai i tij, Nikolin Koçeku për veprën penale, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
I riu është qëlluar gabimisht pasi shënjestra e vërtetë e sulmit mendohet të jetë 28-vjeçari Gj. K., i cili ndodhej me mjetin e tij pas automjetit të 23-vjeçarit P. H., i cili mbeti i plagosur.
“Falë veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga strukturat hetimore të DVP Shkodër dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, u bë zbardhja e ngjarjes, identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit Kujtim Koçeku, 38 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Vrasja me paramendim“ e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, pasi më datë 09.08.2021 ka qëlluar me armë zjarri dhe si pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi P. H., i cili po udhëtonte me mjetin e tij nga Thethi në drejtim të fshatit Nderlysë.
Gjithashtu, u bë ndalimi i shtetasit Nikolin Koçeku, 37 vjeç, vëllai i shtetasit Kujtim Koçeku, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi Nikolin Koçeku i kishte kërkuar 600 euro shtetasit Gj. K., 28 vjeç, banues në Dobraç, Shkodër, me të cilin ka pasur konflikt të mëparshëm, dhe ky shtetas ka qenë objektivi, pasi 28-vjeçari qarkullonte me mjet pas automjetit të shtetasit P. H., në momentin kur shtetasi P. H. është plagosur me armë zjarri nga shtetasi Kujtim Koçeku.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme”, njofton policia. (A2 Televizion)