“Zbatimi i planit të BE duhej të niste që dje”, Kurti kërkon që ndërkombëtarët të dënojnë Serbinë bllokuese

Nga A2 CNN
21 Mars 2023, 14:32 | Kosova
“Zbatimi i planit të BE duhej të niste që dje”, Kurti

Kosova kërkon nga ndërkombëtarët që të dënojnë Serbinë për mosfirmosjen e marrëveshjes së pranuar në Ohër, më 18 mars. Kryeministri Albin Kurti theu heshtjen në Prishtinë duke sqaruar se zbatimi i propozimit europian për normalizimin e raporteve duhej të niste që nga kjo e hënë.

“Marrëveshjen bazë dhe planin e zbatimit tashmë i kemi të dakorduara. Për neve kjo është një marrëveshje, por unë pres nga faktorët ndërkombëtarë që të gjykojnë, dënojnë sjelljen e Serbisë e cila kur zhvillohen takimet thotë se nuk nënshkruaj, ndërmjet takimeve thotë se nuk do të zbatojë asgjë. Nuk mund të flas kështu pala tjetër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Kombet e Bashkuara. Nuk mund të flasë se kurrë nuk do të njoh Kosovës, pasi marrëveshja bazë është njohje de-facto”, tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Kurti theksoi rëndësinë e diskutimit të marrëveshjes në kuvendin e Kosovës, duke konfirmuar se edhe mund të ratifikohet aty, por nënvizoi se aktualisht topi është në anën e Serbisë që nuk pranon të firmosë. Kryeministri adresoi dhe pikën shtatë, që konsiderohet problematike.

“Do të duhej që atë formulimin për vetë menaxhimin e komunitetit serb të adresohen çështjet që neve na paskan ngelur pa u përmbushu. Për neve bëhet fjalë për një formulim që i përket në mënyrë shumë besnike dhe të saktë Konventës Kornizës për mbrojtjen e pakicave kombëtare të Këshillit të europës”.

Reagimi i Kurtit erdhi pasi presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, sfidoi ndërkombëtarët duke thënë se do të zbatojë vetëm pikat që nuk shkelin vijat e tij të kuqe, duke lënë të kuptohet se nuk do të pranojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe as njohjen de fakto. Të njëjtin qëndrim e shprehu sëfundmi edhe ministri serb I jashtëm, Ivica Daçiç.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos