
Gjykata Supreme i dha një goditje shpresave të Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, pasi hodhi poshtë pretendimet e republikanëve për të bllokuar certifikimin e rezultatit në shtetin e Pensilvanisë.
Gjykata refuzoi kërkesën e kongresmenit Mike Kelly, aleat me Trump, dhe republikanëve të tjerë, të cilët pretendonin se zgjerimi i votimit me postë, bërë në vitin 2019, shkelte ligjet e shtetit.
Pensilvania ishte një ndër shtetet kyçe në zgjedhjet e 3 nëntorit, ku Biden mundi Trump, pasi ky i fundit kishte fituar aty në vitin 2016 kundër Hillary Clinton.
Republikanët kërkonin që 2,5 milionë vota me postë të mos merreshin parasysh, por gjykatësit vepruan shpejt, pak orë pas padisë, duke rrëzuar pretendimet e republikanëve. (A2 Televizion)