Zbulohen në një zyrë private dokumente të klasifikuara nga koha Obama-Biden

Nga A2 CNN
10 Janar 2023, 09:58 | Bota
Zbulohen në një zyrë private dokumente të klasifikuara nga

Disa dokumente të klasifikuara nga koha kur presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte numri dy i Shtëpisë së Bardhë janë zbuluar vjeshtën e kaluar në një zyrë private.

Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, tashmë i ka kërkuar prokurorit në Çikago që të hetojë çështjen, raporton CNN duke cituar burime. Po ashtu, rasti po merret parasysh nga republikanët e Kongresit.

Avokatët e Biden janë shprehur se materialet qeveritare u gjetën në nëntor, ndërsa mbyllnin një zyrë në Uashington, DC, më konkretisht Qendra Penn Biden për Diplomaci dhe Angazhim Global, që presidenti aktual e përdori kur ishte profesor në Universitetin e Pensilvanisë nga viti 2017 deri në vitin 2019.

CNN raporton se nuk dihet se çfarë ka në përbërje të dokumenteve apo se pse u dërguan në zyrën private të Biden.

Zyrtarët federalë u kërkohet me ligj që të heqin dorë nga dokumentet zyrtare dhe të dhënat e klasifikuara kur mbaron shërbimi i tyre qeveritar.

“Shtëpia e Bardhë po bashkëpunon me Arkivin Kombëtar dhe Departamentin e Drejtësisë për zbulimin në fjalë që duket të jenë të dhëna të administratës Obama-Biden, duke përfshirë një numër të vogël dokumentesh me shenja të klasifikuara”, tha Richard Sauber, këshilltar special i Presidentit Biden në një deklaratë.

Që pas zbulimit, sipas njoftimit të presidencës, “avokatët personalë të Presidentit kanë bashkëpunuar me Arkivin dhe Departamentin e Drejtësisë për të siguruar që çdo regjistrim i administratës Obama-Biden të jetë në duart e Arkivit.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos