
Dhjetëra mijëra njerëz në Brazil dolën në mitingje pro-demokracisë, në një kundërpërgjigje ndaj sulmit në Kongres nga mbështetësit e ish-presidentit Jair Bolsonaro.
Në qytetin më të madh të vendit, Sao Paulo, turmat brohorisnin se Bolsonaro duhet të shkojë në burg.
Rreth 1500 persona janë arrestuar gjatë trazirave të së dielës në kryeqytetin Brasilia, që tronditën vendin, por dhe mbarë komunitetin ndërkombëtar.
Trazirat erdhën një javë pasi presidenti Luiz Inacio Lula da Silva u betua dhe mori detyrën pas zgjedhjeve të tetorit që ndanë Brazilin.
Të hënën në mbrëmje, lideri i ri 77-vjeçar vizitoi ndërtesat e dëmtuara të Kongresit, pallatit presidencial dhe Gjykatës së Lartë, së bashku me guvernatorët e vendit, duke dënuar aktet terroriste.
Jair Bolsonaro nuk e ka pranuar humbjen në zgjedhje. Ai aktualisht ndodhet në SHBA, ku raportohet se është shtruar në një spital. Autoritetet amerikane deklaruan më herët se nuk kanë një kërkesë zyrtare nga Brazili për ekstradimin e tij. (A2 Televizion)