
Ushtria e Mianmarit ka kryer të paktën katër vrasje masive të civilëve, korrikun e kaluar, ku vdiqën 40 burra. Kjo është ajo që del nga një hetim i BBC-së. Artikulli shoqërohet me një video në të cilën banorët e një prej fshatrave të shënjestruara, gjejnë trupat e disa prej viktimave në një varr masiv.
BBC citon dëshmitarët okularë dhe të mbijetuarit e masakrave, sipas të cilëve shumë prej viktimave janë torturuar gjithashtu.
Dëshmitarët okularë dhe të mbijetuarit thanë se ushtarët, disa të rinj deri në 17 vjeç, mblodhën fshatarët përpara se t'i ndanin burrat dhe t'i vrisnin. Pamjet në video dhe imazhet nga incidentet tregojnë se shumica e të vrarëve u torturuan fillimisht dhe u varrosën në varre të cekëta.
Vrasjet ndodhën në korrik, në katër incidente të veçanta në Kani Township - një bastion i opozitës në distriktin Sagaing në Mianmarin Qendror.
Ushtria është përballur me rezistencën e civilëve që kur mori kontrollin e vendit në një grusht shteti të shkurtit, duke rrëzuar një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike të udhëhequr nga Aung San Suu Kyi. (A2 Televizion)