“Departamenti për Policinë Kriminale kërkon që t’i përgjigjeni Urdhëresës së Gjykatës së bashkangjitur me efekt të menjëhershëm. Dështimi për t’u përgjigjur brenda 24 orëve do të çojë në veprime serioze ligjore kundër jush. Besnikërisht Neritan Nallbati, Drejtor i Departamentit në Policinë Kriminale”...nëse ju ka ardhur një mesazh i tillë në e-mail, atëherë duhet të keni kujdes sepse është mashtrim. Kjo është një mënyrë e disa hackerave që synojnë të marrin para, prandaj Policia Shqiptare iu bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre.
Ky mesazh ka shkuar në e-mail të qytetarëve, por edhe bizneseve dhe vjen në emër të titullarëve të Policisë së Shtetit, duke e bërë edhe më të besueshëm.
Nuk dihet nëse ka persona që kanë rënë pre e këtij mashtrimi të nisur së fundmi në rrjet. Policia i ka bërë thirrje qytetarëve të denoncojnë rastet, ndërsa ka siguruar publikun se po punojnë për zbardhjen e detajeve.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike sqaron se ka nisur punën për parandalimin e pasojave, për hetimin e ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
"Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike është vënë në dijeni për një fushatë mashtrimi nëpërmjet sistemeve kompjuterike, e cila synon persona fizikë dhe juridikë, pa dallime të caktuara, me qëllim marrjen e shumave të ndryshme monetare.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike njofton të gjithë qytetarët, se ka nisur puna policore e menjëhershme, për parandalimin e pasojave, për hetimin e ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Për t’i shkuar në ndihmë çdo shtetasi që mund të preket nga kjo fushatë mashtrimi, bashkëlidhur këtij njoftimi do të gjeni formatin në të cilin dërgohet mesazhi i postës elektronike, si dhe dokumentin e rremë që i bashkëngjitet këtij mesazhi.
Policia e Shtetit fton qytetarët që janë prekur nga këto mesazhe të cilat iu kanë shkuar në emër të titullarëve të Policisë së Shtetit, kjo për të rritur besueshmërinë e këtyre mesazheve, të denoncojnë menjëherë në adresën e postës elektronike [email protected], të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, e cila është duke kryer hetime intensive dhe në ditët në vijim do të japë më shumë informacion rreth kësaj fushate mashtrimi". (A2 Televizion)
Njoftimi i Policisë

