Vitet e fundit, serialet “Will & Grace”, “Murphy Brown” dhe “Roseanne” janë rikthyer në televizion me seri të reja të suksesshme, por duket se një nga serialet më të pëlqyera dhe më të ndjekura nga publiku shqiptar, “Friends”, nuk do ta vazhdojë këtë modë.
Kasti i aktorëve dhe stafi krijues i tij gjithmonë kanë hedhur poshtë idenë e rikthimit, me Matthew Perry (Chandler) i cili ka thënë në një intervistë për “Variety” në vitin 2017 se në fakt rikthimi i serialit është makthi i tij më i madh.
“Shoh një makth sikur po e bëjmë sërish “Friends” dhe askush nuk do t’ia dijë më për ne. Bëjmë një sezon të plotë dhe askujt nuk i plas. Nëse më pyesin mua, unë do të them JO. Puna është se e mbyllëm aq bukur sa nuk e kalojmë dot atë që bëmë. Pse të kthehemi të bëjmë prapë një gjë që nuk bëhet dot më mirë?”, tha Perry.
Duke qenë se nuk do të shohim kurrë seri të reja të Friends, “Entertainment Weekly” ka vendosur që të imagjinojë se çfarë do të ishin duke bërë Chandler (Matthew Perry), Monica (Courteney Cox), Rachel (Jennifer Aniston), Ross (David Schwimmer), Joey (Matt LeBlanc) dhe Phoebe (Lisa Kudrow) 15 vite pasi i pamë për herë të fundit.
Me rastin e 25-vjetorit të shfaqjes për herë të parë të serialit “Friends”, lexoni se ku do të ishin sot 6 shokët e pandashëm. (A2 Televizion)
Ross dhe Rachel - Këta të dy janë të divorcuar, sërish. Ashtu si në 10 vitet që dëshmuam, çifti vazhdon të ndahet dhe bashkohet, por aktualisht janë të ndarë. Rachel i vuri fajin Ross-it për faktin që hoqi dorë nga puna e ëndrrave në Paris, por ka hapur linjën e saj të veshjeve, kështu që nga ana profesionale është shumë në rregull. Ndërkohë, beqari Ross, me kohë të lirë plot, shkroi një libër mbi dinosaurët, por që nuk pati sukses për fat të keq. Vajza e tyre Emma është pranuar në Universitetin e Nju Jorkut, ndërsa djali i Ross-it, Ben, është bërë me shok të ri dhome: babain e tij. Phoebe - Është ende e lidhur me Mike, në një lidhje të hapur. Pasi “Friends” u mbyll, ata nisën një karrierë muzikore së bashku nëpër lokale dhe restorante: Mike në piano dhe Phoebe vokaliste. Por, tekstet e veçanta të këngëvë të saj bënë që karriera të mbyllej shpejt. Phoebe iu kthye punës si masazhatore dhe një nga klientët e rregullt i ofroi një punë si menaxhere fushate zgjedhore. Ajo e refuzoi, por e frymëzuar dhe e tmerruar nga zgjedhjet, Phoebe iu fut politikës, duke fituar një vend në Dhomën e Përfaqësuesve. Monica dhe Chandler - Lidhja e tyre është e pathyeshme. Monica ka hapur një kafene të vogël në zonën ku jeton, ndërsa Chandler është pa punë. Duke qenë se është shumë i lidhur me binjakët, Chandler po përjeton ankthin e ndarjes nga ata, edhe pse atyre u duhen edhe 3 vite që të shkojnë në kolegj. Gjithashtu, ata të dy ende e ruajnë dhomë mbi garazh për Joey-n, i cili e përdor më shumë seç duhet, duke marrë parasysh pozicionin që ka. Joey - Pasi u kthye nga Los Angeles, Joey u betua se nuk do të largohej më kurrë nga Nju Jorku. Ai pati sukses me një serial që sot është në sezonin e tij të 12. Në serial Joey interpreton doktorin Drake Ramoray. Një beqar i përjetshëm, ai ka një vajzë të vogël me aktoren 25-vjeçare e cila në serial luan rolin e vajzës së Joey. Si prind i një vajze, Joey po mundohet shumë që të ndryshojë, por pa sukses deri tani.