Zbuten tensionet Rusi-Ukrainë? Rusia nis tërheqjen e trupave, disa prej tyre kthehen në baza

Nga A2 CNN
15 Shkurt 2022, 09:47 | Bota
Zbuten tensionet Rusi-Ukrainë? Rusia nis tërheqjen e trupave, disa

Nga Rusia vjen sinjali i shumëpritur për zbutje të tensioneve në kufijtë e Ukrainës. Ministria e Mbrojtjes tha se disa prej trupave të pozicionuar në kufirin me Ukrainën po rikthen në bazat e tyre pas përfundimit të stërvitjes. Numri i trupave që po largohen nuk bëhet i ditur.

“Kur stërvitja të përfundojë, trupat, si zakonisht do të rikthehen në bazat e tyre. Njësi nga distriktet Jugore dhe Perëndimore të ushtrisë kanë përfunduar misionin dhe po transportohen me trena apo mjete të tjera drejt bazave”, tha zëdhënësi i ministrisë, Igor Konashenkov.

Megjithatë ministria e Mbrojtjes thekson se stërvitjet e shkallës së gjerë do të vazhdojnë, të tilla si ajo mes trupave ruse dhe bjelloruse që, sipas njoftimit të Moskës, pritet të përfundojë më 20 shkurt. “Forcat e armatosura të Federatës Ruse po vijojnë një seri operacionesh stërvitore të shkallës së gjerë. Gati të gjitha divizionet ushtarake, trupat tokësore dhe ajrorë po marrin pjesë”, shtoi Konashenkov.

Ende nuk është e qartë nëse kjo lëvizje e Rusisë do të mjaftojë për të zbutur frikën e perëndimit. Burime në qeverinë britanike thanë se do të prisnin të shihnin tërheqje të shkallës së gjerë, çka do të bënte diferencën në aftësinë për të pushtuar. Gjithashtu ministri I jashtëm ukrainas deklaroi se do ta besonin që Rusia po tërhiqet, pasi ta shohin këtë. Por zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha në një reagim se 15 shkurti do të hyjë në histori si dita kur propaganda perëndimore e luftës dështoi. “Ata u shkatërruan pa asnjë plumb”, ishte deklarata e saj.

Forcat e Armatosura ruse po vijojnë stërvitje të mëdha ushtarake në disa zona. Në rrjetet sociale u transmetuan një ditë më parë pamje të tankeve ruse vetëm 15 minuta larg kufirit me Ukrainën. Sa për stërvitjen e përbashkët mes trupave ruse dhe atyre bjelloruse, Moska thotë se do të përfundojë më 20 shkurt.

Rusia ka pozicionuar rreth 130 mijë trupa pranë kufirit me Ukrainën dhe 30 mijë të tjera janë vendosur në Bjellorusi. Ndërkohë nëndetëse dhe mjete amfibe luftarake janë vendosur në Detin e Zi. Disa nga videot e postuara në rrjetet sociale po analizohet nga ekspertët e CNN, për të verifikuar vërtetësinë e tyre.

Scholz takohet sot me Putin, Zelensky: 16 shkurti, dita e unitetit të Ukrainës

Ndërkohë, Kancelari gjerman, Olaf Scholz, viziton sot Moskën, për bisedime me Presidentin Vladimir Putin, në përpjekjen më të fundit të Perëndimit për të bindur Kremlinin të zgjedhë diplomacinë mes përshkallëzimit të tensioneve në kufirin me Ukrainën.

Scholz, i cili më herët u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se nuk ka asnjë justifikim të arsyeshëm për aktivitetin ushtarak të Moskës në kufi. Kancelari gjerman i bëri thirrje Rusisë të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për zbutjen e tensioneve, dhe tha se Perëndimi ishte i gatshëm për dialog serioz.

“Ne jemi të gatshëm për dialog serioz me Rusinë për çështjen e sigurisë në Europë. Por ne presim që Moska të ndërmarrë hapa të qartë për të zbutur tensionet. Qëndrimi i Gjermanisë është se çdo akt agresioni kundër Ukrainës, do të ketë pasoja serioze politike, ekonomike dhe gjeostrategjike për Rusinë”, tha Kancelari.

Mes paralajmërimeve amerikane se Rusia mund të sulmojë këtë javë, më 16 shkurt, sipas disa mediave të Perëndimit, presidenti Volodymyr Zelensky ka vendosur që ta shpallë në këtë datë, atë që e ka pagëzuar si ditën e unitetit. Lideri ukrainas, i bëri thirrje popullit që të valëvisë flamuj dhe të këndojnë njëzëri Himnin Kombëtar. “Ata na thonë se 16 shkurti, do të jetë dita e sulmit. Ne do ta bëjmë ditën e unitetit. Ukrainasit duhet të ngrenë flamujt dhe të këndojnë Himnin në 10 të mëngjesit. Le t’i tregojmë unitetin tonë botës”, tha ai.

https://a2news.com/2022/02/14/as-ministrat-e-tij-nuk-mund-ti-afrohen-me-putin-it/

I pyetur mbi referencën që bëri Zelensky, lidhur me datën 16 shkurt, zëdhënësi i pentagonit John Kirby tha: “Nuk do të diskutoj mbi një datë specifike, por se ka shumë mundësi që Putin të avancojë më shumë drejt Ukrainës pa asnjë paralajmërim”.

Megjithatë, Pentagoni mendon se Putini mund të mos e ketë marrë ende vendimin përfundimtar. Rusia e mban të hapur derën e diplomacisë me Ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov, që tha të hënën se ka gjithmonë një shans për të arritur marrëveshje me perëndimin për Ukrainën. Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, tha se Uashingtoni, i cili ka kthyer në shtëpi shumicën e misionit diplomatik në Ukrainë, do të zhvendosnin në qytetin perëndimor të Lviv edhe pjesëtarët e mbetur të stafit. Ai citoi rritjen dramatike të forcave ushtarake ruse në kufi.

Klikoni këtu për të ndjekur të gjitha zhvillimet live (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/02/14/lufta-ne-prag-gazetari-i-cnn-raporton-ne-a2-nga-ukraina-per-situaten-atje/

A2 CNN Livestream

Latest Videos