Zekić nuk e harron Bate-n, vlerëson Atletic Eskalades

Nga A2 CNN
21 Korrik 2023, 18:01 | Futboll
Zekić nuk e harron Bate-n, vlerëson Atletic Eskalades

Nga magjia e Champions në Conference League, aty ku shanset për të ecur larg janë më të mëdha. Trajneri i Partizanit, Zoran Zekiç e ka të vështirë ta pranojë eliminimin nga BATE Borisov, me te kuqtë që mund ta kishin fituar sfidën dyshe me diferencë golash, por tashmë duhet të përqendrohen te modestët e Atletic Eskalades nga Andorra.

“Nuk mund ta heqim nga mendja ndeshjen me BATE-n, por tashmë duhet të flasim për Conference League dhe të përgatitemi për Atletic Eskalades nga Andorra. Edhe pse në letër mund të cilësohet i lehtë, kundërshtari i radhës nuk është i thjeshtë. Gjithçka do të varet vetëm nga ne, duhet përqendrim maksimal dhe të japim 100 përqind në fushë”, tha Zekic.

Për të përmbushur ambiciet europiane, të kuqve duhet të riparojnë shënjestrën në sulm, por edhe të mos gabojnë në mbrojtje.

“Është e vërtetë që sulmuesit kanë shpërdoruar shumë raste. Kemi bërë edhe disa gabime në mbrojtje dhe prej këtyre episodeve nuk u kualifikuam në turin e dytë. Menjëherë pas ndeshjes ndaj BATE-s kam folur me futbollistët, që të kenë më tepër përqendrim në detyrat e tyre. Kur luan si sulmues, duhet të punosh shumë dhe të kesh besim deri sa të shënosh golin e parë, se më pas gjithçka bëhet më e thjeshtë”, u shpreh Zekic.

Së fundmi me Partizanin është bashkuar Mateo Kocijan.28-vjeçari që një pjesë të madhe të karrierës e ka kaluar në futbollin amator, sezonin e fundit shkëlqeu me Slaven Belupo në elitën e futbollit kroat dhe mundtë luajë në tre pozicione mes mbrojtjes dhe mesfushës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos