
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, po zhvillon një vizitë zyrtare në Poloninë fqinje, pasi shteti anëtar i NATO-s i dorëzoi avionët e parë të luftës.
Pasi mori rrugën e gjatë mbi 8 orë më tren, Zelensky dhe bashkëshortja e tij u pritën nga presidenti polak, Andrej Duda. Kreu i shtetit i dorëzoi presidentit ukrainas “Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë” gjatë një ceremonie në Varshavë.
“Është nderimi më i lartë dhe më i vjetër i Polonisë”, tha Duda duke i thënë Zelensky-t se ishte një person unik dhe i jashtëzakonshëm për rezistencën e madhe ndaj pushtimit rus.
“Pa asnjë dyshim, e dimë se ju bashkë me rezistencën heroike të popullit ukrainas do ta shpëtoni Ukrainën nga agresioni rus”, shtoi presidenti polak. Zelensky e ka shkelur tokën polake edhe herë të tjera, por kjo ishte hera e parë e një vizite zyrtare që prej nisjes së luftës, shkurtin e kaluar.
Gjatë qëndrimit në Varshavë, presidenti ukrainas do të firmosë një sërë marrëveshjesh bilaterale me homologun Duda dhe kryeministrin Mateus Moraviecki. (A2 Televizion)