
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje liderëve të NATO-s që të ndërmarrin hapa konkretë drejt anëtarësimit të Ukrainës në një samit, javën e ardhshme. Ai i bëri komentet gjatë një vizite në Pragë ku mori mbështetje nga presidenti çek, i cili mbështeti ofertën e Kievit për t'u bashkuar me aleancën.
Zelensky tha se Ukrainës i duhej shumë më tepër sesa deklarata e përgjithshme se dera e NATO-s ishte "e hapur".
“Po flasim për një sinjal të qartë, disa gjëra konkrete në drejtim të një ftese. Ne kemi nevojë për këtë motivim. Ne kemi nevojë për ndershmëri në marrëdhëniet tona.”
Ukraina dëshiron të bashkohet sa më shpejt që të jetë e mundur, por anëtarët e NATO-s janë të ndarë në lidhje me atë se sa shpejt duhet ndërmarrë ai hap. Disa vende anëtare janë të kujdesshme ndaj lëvizjeve për të cilat kanë frikë se mund ta çojnë aleancën më pranë një lufte aktive me Rusinë.
Çekia anëtare e NATO-s, ka qenë mbështetëse e fortë e Kievit që prej nisjes së luftës , duke mos i kursyer ndihmat ushtarake dhe as përkrahjen për hyrjen në aleancë. Pavel
“Duhet të jetë absolutisht e qartë se është në interesin e republikës çeke që Ukraina, të nisë negociatat për anëtarësim në NATO, sapo të përfundojë lufta. Kjo i shërben interesave tona të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit rajonal”, tha Pavel.
Zelensky mbërriti në Pragë pasditen e së enjtes, me një avion qeveritar çek, i shoqëruar nga dy avionë të forcave ajrore. Vizita e tij në këtë shtet erdhi pas qëndrimit në bullgari, ku siç tha këshilltari i presidentit, mori gjithashtu mbështetjen e Sofjes për anëtarësim në NATO. Ndalesa e radhës është Turqia, ku do të kërkojë garanci nga presidenti Erdogan. (A2 Televizion)