Zelensky flet me Jinping: Kina përfaqëson një mundësi për procesin e paqes

Nga A2 CNN
27 Prill 2023, 12:25 | Bota
Zelensky flet me Jinping: Kina përfaqëson një mundësi

Kina përfaqëson një mundësi për të përforcuar rregullat mbi të cilat duhet të ndërtohet paqja. Kështu u shpreh presidenti ukrainas, Volodimir Zelensky, pasi foli për herë të parë në telefon me homologun kinez Xi Jinping, që prej fillimit të luftës. Zelensky e kishte kërkuar prej kohësh mundësinë për të diskutuar me presidentin knez, të cilin e sheh si njeriun që mund të influencojë te Rusia për të ndalur luftën. Jinping është aleat i Putinit dhe ka refuzuar ta dënojë në mënyrë të drejtpërdrejtë agresionin, por njëkohësisht është ofruar të ndërmjetësojë për një zgjidhje.

"Sot zhvillova një bisedë të gjatë dhe të arsyeshme me liderin kinez. Aktualisht, kemi një mundësi për t'i dhënë energji të reja marrëdhënieve mes dy vendeve dhe për të shfrytëzuar fuqinë politike të Kinës për forcimin e rregullave mbi të cilat duhet të ndërtohet paqja. Ukraina dhe Kina, ashtu si pjesa më e madhe e botës janë njësoj të interesuar të fuqizojnë sovranitetin e vendeve dhe integritetin territorial”, u shpreh Zelensky.

Sakaq media shtetërore kineze raportoi se presidenti Jinping do të dërgonte përfaqësues të posaçëm në Ukrainë për të zhvilluar bisedime me të gjitha palët që janë të interesuara për paqe. Presidenti kinez ka prezantuar një plan paqeje prej 12 pikësh, i cili është pritur me skepticizëm nga perëndimi, por që në Kiev është përshëndetur si sinjal i interesimit të Kinës për t'i dhënë fund luftës.

Sipas medias shtetërore në Pekin, Kina do të fokusohet në promovimin e paqes dhe do të përpiqet për një armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur. Presidentja e Komisionit Europian Von Der Leyen, e cilësoi telefonatën mes të dyve, si një hap shumë të rëndësishëm nga ana e Kinës, që siç tha kishte qenë i shumëpritur.

Biseda u zhvillua ndërsa Rusia ka intensifikuar sulmet në lindje të Ukrainës. Kievi bëri të ditur se kishte sprapsur 54 sulme në 24 orët e fundit  ndërsa në Mikolaiv, 1 person u vra dhe 15 të tjerë u plagosën pasi rajoni u godit me 4 raketa S-300. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos