
Ukraina fitoi çështjen kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, tha Presidenti Volodymyr Zelensky. “Gjykata urdhëroi ndalimin e menjëhershëm të pushtimit. Urdhri bazohet në ligjin ndërkombëtar. Rusia duhet ta zbatojë menjëherë. Injorimi i urdhrit do ta izolojë edhe më shumë”, shkroi Zelensky në Twitter.
Prej 21 ditësh tashmë, Rusia ka futur trupat e saj në Ukrainë. Moska e quan “operacion special” për çarmatosjen dhe denazifikimin e vendit fqinj, por pushtimi është dënuar nga e gjithë bota perëndimore dhe ndaj saj janë vendosur sanksione të rënda.
Ndërkohë që luftimet vazhdojnë, palët janë ulur edhe në tavolinën e negociatave dhe gjatë të mërkurës janë shtuar zërat për arritjen e një dakordësie paraprake të paktën për neutralitetin e Ukrainës. (A2 Televizion)