
Mediat amerikane deklarojnë se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të marrë pjesë personalisht në samitin e G7-s që nisi në Japoni dhe jo përmes një videomesazhi, siç ka bërë që nga nisja e luftës në vendin e tij, rreth një vit e 3 muaj më parë.
Ndryshimi i kësaj agjende ka detyruar organizatorët të forcojnë më tej edhe masat e sigurisë, në një kohë kur në Japoni marrin pjesë liderët e 7 vendeve më të industrializuara të botës, përfshirë dhe disa drejtues rajonalë dhe europianë.
Disa orë më pas, vizita e mundshme e Zelensky-t në samit u konfirmua dhe nga këshilltarët e tij të sigurisë, të cilët shtuan se presidenti do të udhëtojë drejt Japonisë për të mbrojtur interesat e Ukrainës në këto ditë të vështira, kur ndihma ndërkombëtare është më e nevojshme se kurrë.
Më herët, pjesëmarrësit në samit, së bashku me shoqëruesit e tyre, zhvilluan një vizitë në muzeun që përkujton viktimat e sulmit me bombë atomike në Hiroshima. (A2 Televizion)