
Jemi pak muaj nga sulmet kibernetike kur vëmendja është përqendruar te siguria e votimit elektronik para zgjedhjeve të 14 majit, teksa këtë herë do të votohet elektronikisht në Elbasan, Kamëz dhe në Vorës.
Në “Intervistë nga Merita Haklaj” në A2 CNN foli këtë të premte zëvendëskryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lealba Pelinku, e cila siguroi qytetarët se teknologjia nuk manipulohet, pasi është në rrjet të mbyllur.
“Karakteristikat e teknologjisë tonë janë të tilla që pajisjet nuk janë në rrjet, as nuk hyn dhe as nuk del informacion. Është e pamundur që të futen duart dhe të ndryshohen të dhënat e regjistruara”, tha Pelinku.
Më tej, zëvendëskryetarja e KQZ-së siguroi votuesit se nuk ka asnjë mundësi identifikimi të votës.
“Në zgjedhjet e fundit ka pasur dezinformim se teknologjia të identifikon votën, por kjo nuk është e vërtetë. Kjo gjë nuk ndodh dhe unë dua të siguroj qytetarët. Ky është dezinformim”, tha Pelinku. (A2 Televizion)