Nis sot zyrtarisht fushata, palët me qasje të ndryshme, ndërkombëtarët apel për fushatë të qetë

Nga A2 CNN
14 Prill 2023, 10:15 | Politikë
Nis sot zyrtarisht fushata, palët me qasje të ndryshme,

Sot nis zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e 14 majit. Edhe pse aktualisht fushata ka filluar prej disa ditësh, nga të dyja kampet me prezantimin e kandidatëve dhe takime me qytetarët, referuar kodit zgjedhor, fushata zyrtarisht nis nga kjo e premte dhe po ashtu nga sot nis edhe monitorimi i mediave.

Rithemelimi i Sali Berishës ka konfirmuar hapjen e fushatës mesditën e së shtunës, me një miting në Air Albania, ndërsa socialistët kanë zgjedhur një mënyre tjetër të të bërit fushatë, pa mitingje, pa zhurmë, por me mbjelljen e pemëve në të gjitha bashkitë, ashtu siç u bë edhe në kryeqytet. E teksa, gara është hapur, ndërkombëtarët, apelojnë për një fushatë paqësore.

Prezenca e OSBE-së në Tiranë apelon partitë politike që të respektojnë ligjin dhe rekomandimet e ODIHR. Në mesazhin e shpërndarë, u kërkohet subjekteve që në takimet elektorale të jenë konkurruese me prezantimin e programeve dhe sa më konstruktive.

OSBE-ja thekson se duhet të hidhet një hap drejt forcimit të demokracisë në nivel vendor.

I njëjti apel erdhi edhe nga presidenti i Republikës, Barjam Begaj, i cili në prani të ndërkombëtarëve apeloi për një proces zgjedhor demokratik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos