
Edhe pse tregoi se programin e kishte gati, Roland Bejko u tregua diskret dhe njoftoi se prezantimi do të bëhet në datën 18 prill, ditë në të cilën do të çelë zyrtarisht edhe fushatën e tij.
Asnjë fjalë nuk kishte kundër Erjon Veliajt, kryebashkiakut në detyrë të cilin teorikisht synon të nxjerrë nga zyra. Përkundrazi, sulmi ishte i fokusuar brenda llojit.
Takimi me drejtuesit e degëve të Tiranës e shtyjnë të mendojë se fushata për të do të jetë e lehtë. Bejko premtoi se do të zbulonte skandale të të gjithëve duke ricikluar një frazë nga Lulzim Basha.
“Ata që mendonin se nuk kishim njerëz, u zhgënjyen, të çlirojmë Tiranën nga kthetrat e grabitqarëve. Fushata më e mirë është të shkuarit derë më derë. Të mos votohen ata që dikur kanë qenë të djathtë. Trekëndëshi i Bermudës donte ta asimilonte PD”, tha Bejko.
Edhe te slogani i zgjedhur “Frymëmarrje për Tiranën” sërish shihet një ngjashmëri me Bashën, i cili deklaronte se Berisha, Meta e Rama janë tub oksigjeni për njëri-tjetrin.
Kur u pyet, kandidati i PD-së nuk mohoi bisedat me kreun e dorëhequr të demokratëve.
Në krah të Bejkos ishte dhe Alibeaj, i cili deklaroi se kandidati i zgjedhur prej tij është përfaqësuesi më i mirë i vizionit të së djathtës. (A2 Televizion)