
Që prej orës 09:00, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbledhur grupin parlamentar, për të diskutuar për qëndrimin që do të mbahet në seancën e sotme plenare, ku parashikohet të votohet për zgjatjen e afateve të organeve të vetingt, një pikë kyçe e reformës në drejtësi.
Për votimin pro të amendamentit kushtetues, ka pasur në ditët e fundit presion nga ana e ndërkombëtarëve, duke filluar nga ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ai i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, por edhe nga Berlini zyrtar dhe Britania e Madhe.
Të kontaktuar nga gazetarja e A2 CNN, Arestina Skënderi, disa prej deputetëve të PD-së, me vendim personal, kanë thënë se do të respektojnë ndërkombëtarët dhe do të votojnë pro në seancën e sotme, pasi sipas tyre, kjo ndihmon në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë.
Deri tani, Basha dhe PD-ja zyrtare nuk kanë dalë me një qëndrim zyrtar dhe mbetet për t’u parë në seancë se çfarë do të ndodhë. A2 CNN ka mësuar nga disa burime, se diplomatët kanë ndërmjetësuar që të ketë kompromis mes socialistëve e demokratëve, si dhe të votohet zgjatja e afateve të vetingut.
Nga ana tjetër, disa prej deputetëve të përjashtuar apo të pezulluar nga grupi parlamentar i PD-së, mbështetës të Sali Berishës, janë shprehur kundër votimit të zgjatjes së afateve, pasi sipas tyre, kjo ndihmon në kapjen e sistemit të drejtësisë nga kryeministri Edi Rama.
Organet e vetingut. Si vijon procesi dhe pse ambasadorët preferojnë zgjatjen e afateve?
Amendamenti Kushtetues për zgjatjen e afateve të organeve të vetingut, parashikon që puna e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik, të mos ndalen në qershor të këtij viti, por të vijojnë deri në fund të vitit 2024.
Hallka e parë e vetingut, KPK-ja është organi i cili bën rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa Komisioneri Publik është institucioni që gëzon të drejtën për të apeluar vendimet në shkallën e dytë të vetingut, Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, mekanizëm i përdorur në disa raste nga vëzhguesit ndërkombëtar të ONM-së.
Kur u hartua Reforma në Drejtësi, opsioni që procesi i vetingut do të zgjaste përtej afatit 4-vjeçar, ishte parashikuar, dhe si zgjidhje ishte menduar vijimi i procesit nga institucionet e reja të drejtësisë. Këshilli i Lartë Gjyqësor, do të duhet të vijojë me vetingun e gjyqtarëve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë me atë të njerëzve të akuzës.
Ndërsa ankimimi në KPA, shkallën e dytë të vetingut, iu besua SPAK-ut. Qartazi mekanizmi ligjor për vijimin e procesit ekziston, fakt që ngre pyetjen përse insistojnë ndërkombëtarët që të zgjatet afati i organeve të vetingut? Përgjigjen e ka dhënë vetë kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, disa muaj më parë në studion e A2 CNN.
“Korporativizmi në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk është një përrallë. Reforma ka bërë hapa madhore për ta moderuar këtë instinkt, por jo deri në atë pikë sa të besosh që këto këshilla të bëra nga magjistratë, do të arrijnë të bëjnë drejtësi për kolegët e tyre”, ishin fjalët e tij.
Kjo tregon se edhe vetë ndërkombëtarët nuk i besojnë njerëzve të drejtësisë së re që mbushin radhët e KLGJ-së dhe KLP-së, të dalë pikërisht nga filtrat e vetingut.
Nëse amendamenti kushtetues nuk miratohet në parim, ai nuk mund të kthehet në procedurë parlamentare për 6 muaj. Kjo do të çonte në skenarin që ambasadorët po kërkojnë të shmangin, transferimin e vetingut te KLGJ dhe KLP. (A2 Televizion)