Zgjatja e afateve të vetingut, Muçi: Nuk është e nevojshme

Nga A2 CNN
9 Shkurt 2022, 20:19 | Politikë
Zgjatja e afateve të vetingut, Muçi: Nuk është e nevojshme

Besnik Muçi, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese, i ftuar në studion e “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, u shpreh se “nuk është e nevojshme që të ndryshohet Kushtetuta për zgjatjen e afateve të institucioneve të vetingut”.

“Kushtetuta e ka parashikuar mundësinë e kësaj situate ku ndodhet sot vetingu në Shqipëri. Parashikohej që në përfundim të afateve të institucioneve të vetingut, të mos kishte përfunduar procesi për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët. Për pjesën e mbetur të tyre, ky proces do të vijohej nga KLP-ja për prokurorët dhe KLGJ-ja për gjyqtarët. Ndërkohë, funksioni i komisionerit publik do t’i kalonte drejtuesit të SPAK-ut”, tha Muçi.

https://a2news.com/2022/02/09/basha-nen-presion-nga-vetingu-i-kapur-prej-rames-te-votat-per-ti-zgjatur-afatin/

“Sot, që vetingu nuk ka përfunduar, nuk ka asnjë boshllëk për ta vazhduar këtë proces. Për këtë arsye, unë mendoj që nuk është e nevojshme që të ndryshohet Kushtetuta për zgjatjen e afateve të dy institucioneve: KPK-së dhe komisionerit publik”, theksoi ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese.

Muçi kujtoi se pas 5 vitesh reformë, po i zgjatet afati institucioneve të vetingut që e futën në kolaps drejtësinë në vendin tonë.

“Kolapsin në drejtësi e vuajnë qytetarët në radhë të parë. Më çudit BE-ja, që për Maqedoninë e Veriut nuk e ka rekomanduar vetingun. Nuk e shpjegoj dot pse, por mendoj se e konsiderojnë si trofe këtë gjë sepse është investim i ndërkombëtarëve dhe nuk mund ta pranojnë dështimin”, deklaroi Muçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos