
Mos duhet të përgatisë PD një paketë kërkesash për mazhorancën, në mënyrë që të firmosë në këmbim shterjen e afatit të Vetingut? Sipas analistit Lutfi Dervishi, një skenar i tillë do të ishte tallje për publikun.
“Ne nuk jemi parlamenti i Ukrainës, nuk jemi në gjendje lufte. Por kjo është një mënyrë sesi ne pretendojmë të zgjidhë problemet e rëndësishme, ne i shmangemi atyre dhe merremi me detaje. Kjo është një tallje dhe një fyerje ndaj publikut shqiptar”, thotë analisti në A2 CNN.
Po pse arritëm në këtë pikë, me procesin e vetingut? “Ky nuk është një sekret, dihej që në përfundim të afatit mund të mbeteshin rreth 300 prokurorë dhe gjykatës të pavetuar. Kjo dihej edhe një vit më parë, dhe po të kishim më largpamësi me parlamentin e vjetër mund të ishte bërë shumë mirë”, thotë Dervishi.
Ai citon edhe një raport të Venecias. “Doja t’i referohesha një raporti të Komisionit të Venecias, të dhjetorit 2016. Frika e tyre ishte se këto institucione nuk mund të shkonin në një mandat përtej çdo referimi kushtetues. Ndoshta këto institucione do të donin mos të kishte afate për këtë proces, deri në përfundimin e tij, por kujtoj se ato kanë kërkuar parlamentit fonde për të përshpejtuar procesin. Është thënë që ky proces duhej të ishte i shpejtë edhe me standarde për mos të tronditur sistemin. Gjyqësori tani nuk po funksionon, ne jemi në një situatë ku nuk do të kemi me gjykatës Apeli”, thotë ai. (A2 Televizion)