Debati i dytë dhe i fundit presidencial midis Presidentit Donald Trump dhe sfidantit demokrat Joe Biden ishte shumë më tradicional se përballja e parë mes tyre tri javë më parë. Por, pyetja mbetet nëse ky debat arriti të ndryshojë trajektoren e zgjedhjeve. Presidenti Trump e sulmoi zotin Biden si një njeri që ka dështuar të zgjidhë problemet e Amerikës për dekada me radhë. Trump akuzoi Bidenin si një njeri që nuk e ka luftuar racizmin institucional dhe si një politikan tipik. Nga ana e tij, Biden e kritikoi zotin Trump për politikat e tij lidhur me shëndetësinë, ekonominë dhe emigracionin. Por, zoti Biden nuk i kurseu as sulmet personale. Në një moment ai e quajti Trumpin “një ndër presidentët më racistë të historisë moderne”. Megjithatë, në debatin e dytë, Trump u shfaq shumë më i qetë se herën e parë. Rregulli i ri i fikjes së mikrofonit në fakt e ndihmoi atë të përmbahej dhe fokusohej. Republikanët u ndjenë të gëzuar me qasjen e Trumpit gjatë debatit. Kandidatët arritën të përballin ide dhe politika dhe kjo u dha shansin votuesve të dëgjojnë përgjigje të qarta. 11 ditë kanë mbetur deri në ditën e zgjedhjeve dhe ne do flasim sot për rrugën deri atje. (A2 Televizion)
Zgjedhja e Amerikës/ Komuniteti shqiptar, jo votë unanime
