
Nesër në orën 10:00 do të zhvillohen negociatat midis mazhorancës dhe opozitës për zgjedhjen e presidentit.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, ishte në Kryesinë e Kuvendit ku homologu i tij i PS-së, Taulant Balla, kishte thirrur takimin. Alibeaj kërkoi që nëse do ketë takim, të bëhet në prani të medias, kërkesë kjo që u pranua.
“Ju ishit prezent gjatë bisedës që zhvilluam sot në konferencën e kryetarëve. Shpresoj që të ketë fleksibilitet dhe gatishmëri për konsensus. Kam shprehur gatishmërinë për të diskutuar mbi dokumentin e Alibeajt, por të drejtën e propozimit ta kenë të gjitha palët.
Është diçka e mirë që ne kemi mundësinë që të komunikojmë dhe unë besoj që gjithmonë dialogu dhe konsensusi të arrijnë produkte pozitive”, tha Balla.
Më parë, gjatë konferencës së kryetarëve, Balla kishte propozuar që raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit të ri do të mbahet në kuvend më 23 maj, në orën 18:00. (A2 Televizion)