Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka pushuar një padi për shpifje kundër Flamur Nokës. Në njoftimin e shpërndarë për mediat thuhet se ky vendim u mor për shkak të të mosparaqitjes së pajustifikuar të palës së dëmtuar akuzuese në seancat gjyqësore.
Flamur Noka ishte paditur nga Gjergji Vishkulli për veprën penale të shpifjes së kryer botërisht, duke kërkuar dëmshpërblim për dëmin jashtëkontraktor të pësuar nga cenimi i nderit dhe i personalitetit si dhe cenimi i imazhit personal, profesional, si edhe përgënjeshtrim të lajmit të publikuar në media.
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. I dëmtuari akuzues Gjergji Vishkulli ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “ 1. Deklarimin fajtor të të akuzuarve Flamur Noka dhe Shoqëria Tregtare “3 DS & AF Entertainment sh.p.k”, të paditur për veprën penale të shpifjes së kryer botërisht; 2. Detyrimin e të paditurve për të dëmshpërblyer paditësin për dëmin jashtëkontraktor të pësuar nga cenimi i nderit dhe i personalitetit si dhe cenimi i imazhit personal, profesional. 3. Detyrimin e të paditurve të akuzuar të përgënjeshtrojnë lajmin e publikuar në portalin e administruar nga ana e tyre me shpenzimet e veta nëpër të gjitha mediat kombëtare duke publikuar vendimin gjyqësor lidhur me objektin e kërkimit dhe arsyetimin e kryer nga gjykata.”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, me vendimin Nr. 62, datë 03.10.2025 vendosi:
1. Pushimin e gjykimit të çështjes me nr. Regj.Them. 97 datë regjistrimi 08.05.2025, që i përket palëve: I dëmtuar akuzues: Gjergj Vishkulli, I akuzuar: Flamur Noka dhe Shoqëria Tregtare “3 DS & AF Entertainment sh.p.k.”, me objekt: “- Deklarimin fajtor të të akuzuarve të paditur për veprën penale të shpifjes së kryerbotërisht.
2. Detyrimin e të paditurve për të dëmshpërblyer paditësin për dëmin jashtëkontraktor të pësuar nga cenimi i nderit dhe i personalitetit si dhe cenimi i imazhit personal, profesional.
Detyrimin e të paditurve të akuzuar të përgënjeshtrojnë lajmin e publikuar në portalin e administruar nga ana e tyre me shpenzimet e veta nëpër të gjitha mediat kombëtare duke publikuar vendimin gjyqësor lidhur me objektin e kërkimit dhe arsyetimin e kryer nga gjykata”, për shkak të mosparaqitjes pa shkaqe të përligjura të palës së dëmtuar akuzuese.
2. Shpenzimet gjyqësore të kryera deri në këtë moment, i ngarkohen palës së dëmtuar akuzuese.
3. Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar. (A2 Televizion)