Një debat banal mes dy shokëve në lokal përfundoi me vrasje mbrëmjen e djeshme në Babrru. Viktima, 40-vjeçari Hajdar Ismailgeci, humbi jetën pas disa goditjeve me thikë, ndërsa autori, 38-vjeçari Arlind Demushi u arrestua në Durrës në banesën e motrës së tij.
Hetimet e kryera nga Policia e Tiranës zbuluan se Demushi dhe Ismailgeci, të cilët ishin miq dhe prej 10 ditësh viktima qëndronte në banesën e autorit në Babrru. Para ngjarjes të dy kishin qenë më parë në një lokal duke konsumuar alkool. Sipas pretendimeve të autorit, viktima e kishte ofenduar duke i share bashkëshorten. Debati u përshkallëzua rrugës jashtë lokalit dhe përfundoi tragjikisht me sulmin me thikë.
Në pamje autori duket pas ngjarjes teksa largohet nga vendi i krimit. Arlind Demushi shihet teksa flet në telefon ndërsa duke ecur rregullon dhe rrobat e tij dhe fsheh dorën që siç duket e ka me gjak, duke e futur në xhep. Më pas qetësisht largohet në errësirë mes lagjes.
Policia lokalizoi dhe arrestoi 38-vjeçarin në Durrës, duke i gjetur edhe një çantë me rrobat që kishte mbajtur gjatë kryerjes së krimit. (A2 Televizion)